Mbrëmje me Poezinë dhe Kulturën Japoneze

posted in: Aktivitete | 0

Tiranë, 7 Dhjetor 2012/ – Një spektakël i rrallë i poezisë dhe kulturës japoneze u zhvillua të premten në mbrëmje në Teatrin e Komedisë në Tiranë, organizuar nga Art Kontakt ne bashkepunim me Poeteka.

Ema Andrea – aktore, Fatos Qerimi dhe Elinor Butka – në instrumenta fryme, Agron Biba në një interpretim të papërsëritshëm plastik e skenik, në një skenografi funksionale e befasuese për nga thjeshtësia të realizuar nga Klod Dedja, realizuan një shfaqje unike në llojin e saj, falë një materiali poetik të përzgjedhur mrekullisht nga Arian Leka, poet i mirënjohur dhe producent i festivalit kryesor të poezisë në Shqipëri, POETEKA.

 

“Ne përzgjodhëm më shumë se 20 autorë për të arritur në një prezantim tejet dinjitoz të kulturës së lartë të poezisë së hajkut, teatrit të Tabukit, etj”

– shpjegoi pas shfaqjes që zgjati mbi 80 minuta Arian Leka, njëherësh edhe regjisor i spektaklit.

 

 

Ema Andrea – zëri thuajse i vetëm njerëzor i shfaqjes nënvizoi ngarkesën e jashtëzakonshme shpirtëore të poezisë japoneze, sidomos të traditës së hajkut.

“Hajku është një kompozim vargjesh që i ngjet njeriut, i cili ecën mbi ujë pa hapur rrathë” – tha Andrea.

Sipas aktores që qëndroi mbi një orë pa lëvizur në skenë, e ulur në tokë, kjo shfaqje ka qenë një sfidë, por edhe një përvojë e jashtëzakonshme në karrierën e saj.

 


Agron Biba, aktor shqiptar nga Maqedonia, befasoi të pranishmit me plastikën e tij, me kumbimin e thellë të zërit që recitoi në japonisht, duke qënë I vetmi subjekt skenik në lëvizje përgjatë të gjithë spektaklit.

Fyejt tradicionalë japonezë, ksilofoni, mbështetja muzikore tradicionale dhe njëherësh moderne e materialit poetik japonez i dhanë shfaqjes një fuqi të jashtëzakonshme emotive dhe një ndjeshmëri të rrallë.

“Ishte një kënaqësi të udhëtonim në Lindjen e Largme me këto ngjyresa shkëlqyese të një muzike që është spontanisht natyrore dhe e vërtetë në emocionin e saj” – u shpreh pas shfaqjes Fatos Qerimi, një muzikant i kalibrit botëror. Elinor Butka nga ana e tij dëshmoi një ndjeshmëri të jashtëzakonshme me mbështetjen që i dha fyellit, flautit, ksilofonit dhe krejt materialit muzikor që ishte thellësisht i studiuar dhe emocionalisht magjik.

 

 

“Ishte një udhëtim në metafizikën e njeriut, në thellësitë e tij të pamata, në oqeanin e zemrave që ndërtojnë botën e tyre brenda detajesh që I shenjtëron poezia” – tha Andi Tepelena, drejtues i Art Kontakt.

Shfaqjen e ndoqën kryesisht përfaqësues të shquar të letërsisë dhe artit, shkrimtarë, aktorë, piktorë, studiues, aktorë dhe shumë dashamirës të rinj të poezisë.