Prej datës 27-30 Maj në Lion të Francë-s, u zhvillua edicioni i 4-t i Forumit “European Lab”
(www.europeanlab.com) me pjesëmarrjen e profesionistëve të kultures nga vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe vendeve kandidate, ku nga Shqipëria mori pjesë Art Kontakt e përfaqësuar nga drejtuesi i saj Z. Andi Tepelena. Temat që u diskutuan gjatë konferencave ishin: “Rizhvillimi i politikave kulturore, një gjeneratë e re aktorësh për Europën”, “Mutacioni Kulturor, prespektiva mbi qytetin e të nesërmes”, “Mediat, sipërmarrësit, perdorimet e reja të kulurës, kujt i përket e ardhmja?”, “Industria e muzikës, mendimtarët dhe militantët e rinj të inovacionit.”
Kjo ngjarje u mundësua falë mbështetjes së Komisionit Europian, me qëllim zgjerimin dhe forcimin e rolit të Komisionit në fushën e kulturës. Protagonistë të rëndësishëm të fushës së kultures morën pjesë për të ndarë shqetësime lidhur me të ardhmen e Bashkimit Europian pas fitores së partive ekstremiste anti-Europiane, dhe për te mbështetur dhe krijuar një rrjet të fortë për promovimin e kultures në Europë.
Ky takim shërbeu gjithashtu për të hedhur urat e bashkëpunimit midis organizatave jo fitimprurëse dhe industrisë krijuese të vendeve të Ballkanit.
Rreth European Lab:
Ky forum i cili është krijuar në 2011, kërkon te lidhë njerëz nga fusha të ndryshme kulturore, politike, ekonomike dhe nga bota e medias të cilët luftojnë për të reformuar modelet e sipërmarrjeve dhe të politikave kulturore në Europë. Nëpërmjet shkëmbimit të ideve, ballafaqimit të çështjeve më të ndjeshme që shqetësojnë Europën, aktorët kryesorë dhe politikëbërësit e së ardhmes, European Lab aspiron të krijojë një ambjent vital dhe pjellor për të kuptuar nocionin e inovacionit nëpërmjet vetë kulturës.
Një nga konferencat me temë“Promovimi i kulturës si një element kyç në zhvillimin urban, social dhe ekonomik të një qyteti” doli në përfundimin se qyteti, nuk duhet të shihet më si një territor statik, i izoluar, sepse ai(qyteti) flet dhe shpreh atë që fjalët nuk mund t’a thonë. Tashmë shumë zona rurale janë shndërruar në qëndra të rëndësishme të nismave kulturore.
European Lab u zhvillua në të njëjtin moment dhe me festivalin e muzikës elektronike “Nuits Sonores.” Është kjo lloj muzike që po hyn shumë rrufeshëm në tregun e sotshëm muzikor, dhe e njëjta gjë duhet bërë me idetë e reja novative, në mënyrë që të revolucionarizojë politikat kulturore dhe t`i lejojë të sjellin ndryshim të madh cilësor në jeten e qytetarëve Europiane.