Faleminderit nga zemra të gjithë artistëve, partnerëve dhe publikut që e kthyen Kukëlin në një zemër që rreh me art dhe frymëzim!
Për dy netë frymëzuese, Qendra Muzeore “Ndre Mjeda” u bë vendi i takimit mes ëndrrës dhe realitetit, mes estetikës, kujtesës dhe transformimit.
I dhamë formë një përvoje intensive, mes kontaminimeve vizuale, performative dhe poetike, ku arti ngrejti pyetje për të tashmen dhe përqafoi të shkuarën.
Faleminderit artistëve që besuan në lirinë krijuese, në fuqinë e artit si angazhim individual dhe kolektiv, të mbështetur në forcën e estetikës Mjediane si udhërrëfyes frymëzues.
Çdo vepër, çdo gjest dhe çdo prani kontribuoi në krijimin e një hapësire të re poetike dhe dialogu kulturor.
“Arti, midis ëndrrës dhe realitetit” – edicioni i parë i Festivalit të Artit Bashkëkohor në Kukël, Shkodër, ishte shumë më tepër se një ngjarje kulturore. Ishte një akt dashurie për kujtesën, një
përqafim për trashëgiminë dhe një shpërthim frymëzimi në një vend plot histori – Qendra Muzeore “Ndre Mjeda”, aty ku poezia e Mjedës nuk lexohet, por ndihet në ajër.
Në këto dy netë, nata nuk ra kurrë plotësisht. Hapësirat e jashtme dhe të brendshme të qendrës u mbushën me dritë, imazhe, tinguj dhe zëra – një ekspozitë që jetonte, lëvizte dhe fliste përmes instalacioneve, performancave, pikturës, fotografisë, video-artit, filmave dhe tingujve.
Fëmijë, të rinj, artistë, studiues, banorë të zonës dhe vizitorë nga Tirana, Lezha dhe Shkodra – plot 200 pjesëmarrës – ndanë së bashku një përvojë që i kapërceu kufijtë e një festivali tradicional. Ky ishte një takim i rrallë me artin që nuk qëndron në distancë, por të fton të afrohesh, të mendosh dhe të ndjesh.
Ky edicion i parë u frymëzua nga poezia dhe vizioni i Ndre Mjedës dhe shtriu pyetje të rëndësishme:
Çfarë roli ka arti në kohët e sotme?
Si mund të jetë ai një formë poetike rezistence?
Si ndërtohet kujtesa kolektive përmes veprës artistike?