KULTURA: NJË FAKTOR ZHVILLIMI I EUROPËS

Nga 27-30 maj në Lyon, Francë, u zhvillua edicioni i 4-t i Forumit “European Lab” (www.europeanlab.com) me pjesëmarrjen e profesionistëve të kulturës nga vendet anëtare ose kandidatët e Bashkimit Evropian. Nga Shqipëria mori pjesë Art Kontakt me udhëheqësin e tij, z. Andi Tepelena. Temat e trajtuara gjatë konferencës ishin: “Mutacioni Kulturor, perspektiva e qytetit të nesërm”, “Rishikimi i politikave kulturore, një gjeneratë e re aktorësh për Europën”, “Media, sipërmarrësit, përdorimi i ri i kulturës, kujt i përket e ardhmja?”, “Industria e muzikës, mendimtarët dhe militantët e rinj të inovacionit.”

Ky event u mundësua me mbështetjen e Komisionit Evropian, me qëllim zgjerimin dhe forcimin e rolit të Komisionit në fushën e kulturës. Protagonistë të rëndësishëm të fushës së kulturës morën pjesë për të diskutuar mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian pas fitores së partive ekstremiste anti-Europiane, dhe për të mbështetur dhe krijuar një zinxhir të fortë për promovimin e kulturës në Evropë.

Ky takim shërbeu për të krijuar ura bashkëpunimi mes organizatave jo-fitimprurëse dhe industrisë krijuese në Ballkan.

Rreth European Lab: Ky forum u krijua në 2011, me qëllim lidhjen e njerëzve nga fusha të ndryshme kulturore, politike, ekonomike dhe mediale, të cilët luftojnë për reformimin e modeleve të ndërmarrjeve dhe politikave kulturore në Evropë. Përmes këtij shkëmbimi idesh dhe konfrontimit të çështjeve të rëndësishme që prekin Europën, aktorët kryesorë dhe politikanët, European Lab synon të krijojë një mjedis të gjallë dhe të pjellor për të kuptuar inovacionin përmes vetë kulturës.

Një nga çështjet e trajtuara në konferencë ishte “Promovimi i kulturës si element kyç i zhvillimit urban, social dhe ekonomik të një qyteti”. U arrit në përfundimin se qyteti nuk duhet parë si një territor i izoluar dhe i fiksuar, sepse qyteti flet dhe shpreh atë që fjalët nuk mund ta thonë. Sot shumë zona rurale janë transformuar në qendra të rëndësishme të iniciativave kulturore.

European Lab u zhvillua në të njëjtën kohë me festivalin e muzikës elektronike “Nuits Sonores”. Ky lloj muzike po hyn shpejt në tregun e sotëm të muzikës, dhe e njëjta gjë duhet të ndodhë me idetë e reja inovative, për të revolucionarizuar politikat kulturore dhe për të sjellë një ndryshim cilësor dhe të madh në jetën e përditshme të qytetarëve evropianë.

Scroll to Top