www.verotour.eu

Art Kontakt, Zyra e Shërbimit Turistik, institucion në varësi të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Bashkia Lezhë, Fondacioni Europa si partnerë të këtij projekti,u bënë pjesë e aktivitetit promovues, ditën e Marte, datë 16.09.2014, ora 10.00, në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë.

Projekti “VeroTour” synon implementimin dhe vlerësimin e një itinerari tematik ndër-shtetëror, që lidh sistemin e mrekullueshëm dhe kompleks të rrugëve detare, vendbanimeve, kështjellave, mureve mbrojtëse dhe trashëgiminë kulturore në përgjithësi, që karakterizon lidhjet historike ndërmjet Venecias dhe qyteteve e porteve të Europës e të Mesdheut. Që nga Mesjeta dhe për gati pesë shekuj, këto rrugë tregtare lehtësuan shkëmbimet, ndikimet mes popujve dhe kulturave me Rrugën e famshme të Mëndafshtë, që vinte nga Lindja e Largët. Shenjat e këtyre ndërveprimeve janë akoma evidente në shumë fusha të shoqërisë së sotme.

Partnerët e sektorit publik-privat bashkëpunojnë për zhvillimin e produkteve turistike ndërkombëtare dhe bazat e qëndrueshme të këtyre rrugëve antike. Në këtë projekt u përfshinë institucione dhe sipërmarrje që operojnë në zonën Euro-Mesdhetare, me qëllim rritjen e dijeve të tyre dhe konkurrencës në tregun turistik europian.

Në kuadër të finalizimit me sukses të këtij projekti, po zhvillohet një Tur turistik me Veliera, që nga Qershori i këtij viti. Ky tur turistik nisi nga Venezia duke vijuar në Rajonin e Puglia-s, Korfuzit, dhe ishujve të tjerë të Greqisë; për të vazhduar ndalesën në Shqipëri, Mal të Zi, në bregdetin e Kroacisë dhe për të përfunduar rrugëtimin në vijën bregdetare të Turqisë, në Tetor të vitit 2014.

 

Veliera zbarkoi në portin e Shëngjinit në Shqipëri më datë 15 Shtator 2014, ku ishin të pranishëm përfaqësues të të gjithë partnerëve të projektit “VeroTour”, si UNWTO – Organizata Botërore e Turizmit; Zyra e Shërbimit Turistik (Shqipëri); Forumi i Dhomës së Tregtisë për Adriatikun dhe Jonin (Itali); Bashkia e Piran-it (Slloveni);Sistemi “Marco Polo” GEIE (Itali); Rajoni i Kretës (Greqi); Art Kontakt (Shqipëri); Bashkia e Palmanovës (Itali); Forumi i Dhomës së Tregtisë për Adriatikun dhe Jonin (Itali); Universiteti Ndërkombëtar i Venecias (Itali); Universiteti i Bilkent-it (Turqi); Mocha Tours (Turqi); Operatorët Turistik Amatorë (Itali); Zyra e Turizmit në Pula (Kroaci); Fondacioni Europa (Shqipëri).

 

Pjesë e këtij turi, i cili do u fokusua në qytetin e Lezhës dhe të Shkodrës, ishin edhe 3 (tre) gazetarë të mirënjohur të medias më prestigjoze italiane, nga Sky, Mediaset dhe Rai TV, të cilët promovuan jo vetëm projektin “Vero Tour” dhe trashëgiminë kulturore venedikase të përbashkët të këtyre vëndeve, por u fokusuan edhe mbi vlerat e turizmit kulturor të Shqipërisë dhe promovimin e këtyre vlerave me anë të artikujve dhe reportazheve të tyre në disa media në Europë.