Faleminderit nga zemra të gjithë artistëve, partnerëve dhe publikut që e kthyen Kukëlin në një zemër që rreh me art dhe frymëzim!
Për dy netë frymëzuese, Qendra Muzeore “Ndre Mjeda” u bë vendi i takimit mes ëndrrës dhe realitetit, mes estetikës, kujtesës dhe transformimit.
I dhamë formë një përvoje intensive, mes kontaminimeve vizuale, performative dhe poetike, ku arti ngrejti pyetje për të tashmen dhe përqafoi të shkuarën.
Faleminderit artistëve që besuan në lirinë krijuese, në fuqinë e artit si angazhim individual dhe kolektiv, të mbështetur në forcën e estetikës Mjediane si udhërrëfyes frymëzues.
Çdo vepër, çdo gjest dhe çdo prani kontribuoi në krijimin e një hapësire të re poetike dhe dialogu kulturor.
“Arti, midis ëndrrës dhe realitetit” – edicioni i parë i Festivalit të Artit Bashkëkohor në Kukël, Shkodër, ishte shumë më tepër se një ngjarje kulturore. Ishte një akt dashurie për kujtesën, një
përqafim për trashëgiminë dhe një shpërthim frymëzimi në një vend plot histori – Qendra Muzeore “Ndre Mjeda”, aty ku poezia e Mjedës nuk lexohet, por ndihet në ajër.
Në këto dy netë, nata nuk ra kurrë plotësisht. Hapësirat e jashtme dhe të brendshme të qendrës u mbushën me dritë, imazhe, tinguj dhe zëra – një ekspozitë që jetonte, lëvizte dhe fliste përmes instalacioneve, performancave, pikturës, fotografisë, video-artit, filmave dhe tingujve.
Fëmijë, të rinj, artistë, studiues, banorë të zonës dhe vizitorë nga Tirana, Lezha dhe Shkodra – plot 200 pjesëmarrës – ndanë së bashku një përvojë që i kapërceu kufijtë e një festivali tradicional. Ky ishte një takim i rrallë me artin që nuk qëndron në distancë, por të fton të afrohesh, të mendosh dhe të ndjesh.
Ky edicion i parë u frymëzua nga poezia dhe vizioni i Ndre Mjedës dhe shtriu pyetje të rëndësishme:
Çfarë roli ka arti në kohët e sotme?
Si mund të jetë ai një formë poetike rezistence?
Si ndërtohet kujtesa kolektive përmes veprës artistike?
Specifikat e veprave të artistëve pjesëmarrës
Bib Frrokaj
The Flag of Light
Instalacion “site specific” për Ndre Mjedën
Materiale: inoks dhe hekur
Përmasat: 55 x 6 x 370 cm
Viti: 2025
Denada Makaj
Andrra e jetës
Instalacion zanor
Viti: 2025
Elsaida Musiq
NÀNA
Printim në foreks
Përmasat: 100 x 70 cm
Viti: 2025
Elsamina Musiq
BORN AGAIN
Materiale: polisterol, letër dhe allçi
Viti: 2025
Enza Rripaj
Krijesat e territ II – Për pak dritë
Instalacion me imazhe digjitale
Viti: 2025
Fatlum Doçi
Pa titull
Instalacion druri
Viti: 2023
Gevis Lekiqi
SPACE ODDITY
Pikturë me bojra vaji në letër
Viti: 2025
Giulia Cannas
Arveskida
(Pjesë e projektit ALBA)
Performancë
Viti: 2025
Jonida Xherri
Ndërthurje ëndrrash
3 instalacione-tapet
Përmasat:
– 45 cm x 17 metra
– 1.5 metra x 8 metra
– 1.5 metra x 12 metra
Viti: 2025
Jozefina Vokrri
Gjurmë
Video art
Viti: 2025
Matias Shabani
Midis ëndrrës dhe realitetit
Market në kanavacë
Përmasat: 60 x 70 cm
Viti: 2025
Ornella D’Agostino
Midis hapave dhe gurëve
(Homazh kërcimit Sard)
Video (fillim i viteve ‘90), performancë-instalacion
Viti: 2025
Xhovana Precetaj
Pse të kujtojmë
7 piktura
Përmasat: 60 x 80 cm
Viti: 2024–2025
Xhulian Millaj
Ku shpirti vajton në hidhërim dhe lutet për çlirim
Instalacion me alumin dhe hekur
Viti: 2025
Me mirënjohje të thellë dhe zemërplotë, falënderojmë:
@Dom Nike Ukgjini, për mikpritjen bujare dhe mbështetjen e palëkundur;
EDS Foundation, për ndriçimin e ngrohtë dhe mikpritës që i dha ngjarjes një atmosferë magjike, si dhe për dhurimin e tij për qendrën muzeore, duke e bërë këtë investim të vlefshëm
edhe për të ardhmen;
H2H_Foundation, për mbështetjen logjistike;
Heinrich Böll Stiftung Tirana, për mbështetjen me pajisje teknike dhe ekranet që mundësuan shfaqjen e filmave, duke sjellë një përvojë vizuale të veçantë për publikun;
Dhe mbi të gjitha, të gjithë miqtë tanë nga Tirana, Lezha dhe Shkodra, që udhëtuan me dashuri, ndanë kohën, energjinë dhe përkushtimin e tyre për artin, kujtesën dhe komunitetin.
Kukëli foli gjuhën e artit, të takimit dhe të kujtesës. Dhe do të vazhdojë ta bëjë. Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi artistik që shpresojmë ta vazhdojmë së bashku.
Ky festival u organizua nga Art Kontakt dhe mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Photo Credits: Ani Muraku & Dean Anadolli