Kjo performancë u realizua gjatë Art Kontakt Festival 2012, Porto Palermo
DEBRIS SOUNDS
Sound performancë me instrumenta muzikore dhe materiale të ricikluara
Konceptuar nga Ermal Bezhani
Në vijim të suksesit të disa performancave pop-up nëpër klube dhe galeri të qytetit të Tiranës, lindi ideja për një event me instrumenta muzikorë, perkursione dhe materiale të ricikluara. Koncepti i këtij projekti paraqet një lidhje inovative ndërmjet muzikës, artit pamor, dizajnit, filozofisë urbane dhe komunikimit social, duke filluar nga idea e riciklimit. Bëhet fjalë për një takim midis performances dhe laboratorit gjatë të cilit Debris Sounds, në mënyrë të detajuar dhe me ironi, paraqet nëpërmjet instrumentave kaosin e mbetjeve industriale që banojnë qytetet tona.
“Tingujt e Mbeturinave” ishte një event i pazakontë në kontekstin artistik shqiptar i cili i transmetoi publikut një botë fantastike e të papritur . Një sasi e madhe materialesh që zakonisht përfundojnë në koshat e mbeturinave , do të transformohen pa ndonjë sforcim të madh në vegla funksionale muzikore, me qëllim për të përcjellë një këndvështrim tjetër të sendeve (objekteve) të konsumit të përditshëm, të cilat me të mbaruar funksioni tyre i parë, konsiderohen si mbeturina. Në fakt, këtu, do të provojmë të kundërtën: ato mund të kenë një jetë të re në “një udhëtim psikedelik pa përdorur substanca toksike”.