Uncharted është një faktor i panjohur. Një rebus, të cilën përpiqemi t’a shpjegojmë logjikisht e racionalisht, duke respektuar saktësinë e proçeseve shkencore.
Ashtu sikurse në veprën filozofiko vizuale “Arboretum” të David Byrne, ne orvatemi të ndërtojmë një hartë mendore të një territori imagjinar, ku fotografitë, videot, vizatimet, instalimet dhe performancat poetiko konceptuale, paraqesin peisazhin e mendjes së artistit.
Mënyra sesi këto vepra takohen, ballafaqohen dhe ndërthuren, përshkruan një diagramë të shumë tipareve të këtij Festivali.
Marrëdhënia, ndërlidhja dhe sinergjia spontane që lind në këtë vend, të çon në një rezultat përfundimtar artistik të këtij procesi të gjatë krijues, duke shprehur përvojën dhe vizionin e artistëve për botën dhe shoqërinë.
Artistët dhe veprat e zgjedhura në këtë edicion të Art Kontakt Festival 2014, përfaqësojnë një model të praktikave artistike dhe shpirtërore, që duke ju referuar një zone të veçantë gjeografike, kthehen në pika referimi të kësaj harte imagjinare.
Larmia e disiplinave artistike të lëvruara në hapësirën e festivalit, e kombinuar me peshën historike të kalasë së Ali Pashë Tepelenës, i jep trajtë më të pasur produktit, i cili kapërcen kufinjtë e të qënurit “thjesht” produkt artistik, duke e bërë atë një produkt kulturor.
Këtu kultura e tejkalon ngjarjen, duke u bërë një arkiv proçesesh kuptimbartëse e kuptim-ri-krijuese të përvojave personale jetësore e shpirtërore. Kultura, e cila riprodhohet vazhdimisht dhe zhvillohet me audiencën që e jeton, bëhet pjesë e natyrshme e festivalit. Në këtë kontekst, produkti kulturor pasurohet me emocione, perceptime dhe interpretime që shndërrojnë vlerën dhe kuptimin, duke zhvendosur aksin kryesor nga kujtesa e thjeshtë e të kaluarës, tek vizioni strategjik i së ardhmes.
Proçesi krijues që e karakterizon festivalin nuk është vetëm thjesht një rrugëtim artistik, muzikor apo spektakolar, por një përvojë individuale dhe kolektive në një vend sa imagjinar aq edhe real: ku rrëfimi është përvojë, ku të dëgjuarit është identitet dhe ku shikimi është memorie. J. Le Goff në një esse në lidhje me kujtesën, na sjell ndërmend se si kujtesa ushqen historinë, dhe historia ushqen kujtesën. Kujtesa synon ruajtjen e së shkuarës, për t’i shërbyer të tashmes dhe së ardhmes.
Ky festival quhet Uncharted, pikërisht, sepse kjo hapësirë gjeografike, metaforikisht, nuk shfaqet vetëm si vend historik, por si një vend ku histori të tjera lindin.
10303752_10154364949445384_3988573662807115310_n